Pages in topic:   < [1 2]
Mbi disa raste të përshtatjes me emrat e dygjinishëm
Thread poster: Pjetri
andrida
andrida
Local time: 10:28
English
+ ...
Një kumtesë për këtë problem Jul 25, 2008

Kumtesë e mbajtur në Seminarin e Prishtinës, 2007 nga Anila ÇEPANI (Andrida) dhe Adelina ÇERPJA (QSA- Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë)


PROBLEME TË PËRSHTATJES SË FJALËVE PËRCAKTUESE ME EMRAT AMBIGJENË


Në gjuhë të ndryshme indoevropiane, si në rumanisht, italisht, sllovakisht, çekisht, në greqishten e re etj., ekziston një klasë e caktuar emrash që në njëjës paraqiten si mashkullorë, kurse në shumës kalojnë në gjininë
... See more
Kumtesë e mbajtur në Seminarin e Prishtinës, 2007 nga Anila ÇEPANI (Andrida) dhe Adelina ÇERPJA (QSA- Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë)


PROBLEME TË PËRSHTATJES SË FJALËVE PËRCAKTUESE ME EMRAT AMBIGJENË


Në gjuhë të ndryshme indoevropiane, si në rumanisht, italisht, sllovakisht, çekisht, në greqishten e re etj., ekziston një klasë e caktuar emrash që në njëjës paraqiten si mashkullorë, kurse në shumës kalojnë në gjininë femërore. Këta njihen si emra ambigjenë. Kjo dukuri është e pranishme edhe në gjuhën shqipe. Në gramatikën e shqipes përmenden si emra ambigjenë ata që e formojnë shumësin më -e dhe disa më -ra. Këta janë kryesisht emra jofrymorësh të cilët shënojnë sende ose nocione abstrakte, me përjashtim të dy emrave që tregojnë veta (personalitet / personalitete, personazh / personazhe) dhe dy emrave që shënojnë qenie të vogla (bakter / baktere, insekt / insekte) .
Vendin më të madh në këtë grup të veçantë emrash të dygjinishëm, që qëndron midis gjinisë mashkullore dhe femërore, e zënë emrat që e formojnë shumësin më -e (debat / debate, tekst / tekste, zjarr / zjarre etj.), por ndërrimi i gjinisë vërehet edhe në shumësin e disa emrave ish-asnjanës, si dhe të emrave të lëndës me prapashtesën -ra (bulmet / bulmetra, ujë / ujëra etj.).
Shaban Demiraj në librin e tij Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe përfshin në grupin e emrave ambigjenë dhe disa emra mashkullorë (ndonjë prej tyre me origjinë asnjanëse) që në shumës marrin -a: hap / hapa, petk / petka .
Ndërsa Hysen Matoshi në artikullin Çështje të ambigjinisë në gjuhën shqipe sugjeron që në grupin e emrave ambigjenë të trajtohet si përjashtim dhe emri interes, ndonëse e formon shumësin me prapashtesën -a: interesa jetësore, interesa kombëtare . Këtë përjashtim e përligj me faktin se shembujt nga fjalori shpjegues i shqipes dëshmojnë për ambigjeninë e këtij emri.
Ai sugjeron gjithashtu që emrat me prejardhje nga turqishtja të tipit akraballëk, axhamillëk etj. të trajtohen si një nëndarje e veçantë e emrave ambigjenë që shumësin e bëjnë me prapashtesën -e (akraballëqe, axhamillëqe etj.).
Dukuria e ndërrimit të gjinisë së këtyre emrave në numrin shumës është e vjetër , ajo është e përgjithësuar në gjuhën letrare dhe është bërë e detyrueshme edhe nga norma. Gjuhëtarë të ndryshëm i kanë quajtur emrat e këtij tipi herë asnjanës, e herë ambigjenë. Shaban Demiraj pranon si më të përshtatshëm termin ambigjen, sepse sipas tij ky term i jep më mirë tiparet gramatikore të këtij grupi emrash duke i dalluar ata nga emrat e tjerë mashkullorë që janë homogjenë në të dy numrat.
Duke u nisur nga fakti se ndërrimi i gjinisë së emrave në shumës është përhapur gjerësisht si në shqipe dhe në rumanishte, disa gjuhëtarë mendojnë se kjo ka një burim të përbashkët. Por sipas Demirajt, kjo dukuri në shqipe nuk ka lidhje me zhvillimin e saj në rumanishte, por është një zhvillim i brendshëm i pavarur i secilës gjuhë. Dy janë prirjet kryesore të lindjes dhe të përhapjes së kësaj dukurie:
1. zhdukja e kufirit të gjinive te emrat jofrymorë dhe
2. veprimi i analogjisë.
Kjo dukuri ka qenë e përhapur në të folmet e dialektit verior, por tashmë është përhapur gjerësisht dhe është bërë normative.
Studiuesi Kolec Topalli në artikullin e tij Rreth një paradigme të zhdukur të emrave të gjinisë femërore hulumton evolucionin e një paradigme të zhdukur të emrave femërorë në periudha të ndryshme të zhvillimit të gjuhës. Ai arrin në përfundimin se duke u nisur nga përkatësia paradigmatike e këtyre emrave në gjuhën e sotme, pjesa më e madhe e tyre janë integruar në paradigmën e emrave mashkullorë me mbaresën zero: pushtet-i, shëndet-i, turp-i, vullnet-i etj. . Këta emra sot përfshihen në grupin e emrave ambigjenë.
Për të parë se sa e përhapur është dukuria e ambigjenisë, në tabelën e mëposhtme jepen statistikat e nxjerra nga “Fjalori i gjuhës shqipe”, 2006:

Lloji i emrit Nr. i emrave
Emra mashkullorë gjithsej 7894
Emra ambigjenë me shumësin më -e 2608
Emra ambigjenë me shumësin më -(ë)ra 15

Në bazë të statistikave të nxjerra nga fjalori, vërehet se emrat ambigjenë zënë një vend të konsiderueshëm në raport me emrat mashkullorë të gjuhës shqipe.
Kjo dukuri gjen shprehje te mbiemrat dhe fjalët e tjera përcaktuese të gjinisë femërore që ata marrin në këtë numër, por shpeshherë përdoruesit e shqipes hasin vështirësi në përshtatjen e tyre me këtë kategori emrash.
Gjatë përdorimit të këtij grupi emrash vërehen shkallë të ndryshme vështirësish në përshtatje. Vihet re se për disa prej këtyre emrave mashkullorë, e konkretisht për emrat më -im, përshtatja e fjalëve përcaktuese bëhet natyrshëm edhe nga përdorues të zakonshëm të shqipes:

fillim i vështirë / fillime të vështira
ky veprim i arsyeshëm / këto veprime të arsyeshme

Por për disa emra të tjerë kjo përshtatje është më e vështirë jo vetëm për përdoruesin e zakonshëm, por dhe për ata që kanë një formim gjuhësor të niveleve të ndryshme:

të gjithë afatet / të gjitha afatet
diamante të tjerë / diamante të tjera

Si fjalë përcaktuese të emrave shërbejnë mbiemrat, përemrat dhe numërorët. Shkalla e vështirësisë së përshtatjes së këtyre fjalëve përcaktuese me emrat ambigjenë nuk është e njëjtë.
Duke u nisur nga materiali i vjelë le të shohim konkretisht shkallën e përshtatjes së secilës nga këto fjalë përcaktuese me këtë kategori emrash.

Fjalët përcaktuese mbiemra hasen më dendur se fjalët e tjera përcaktuese, por përdoruesit i përshtatin më lehtë me emrat ambigjenë në krahasim me përemrat dhe numërorët. P.sh. fjalia Cilat janë romanet më të rëndësishme të krijimtarisë së tij? do të dilte herë Cilët janë romanet më të rëndësishme të krijimtarisë së tij?, herë Cilët janë romanet më të rëndësishëm të krijimtarisë së tij? Megjithatë nuk janë të pakta përshtatjet e gabuara të mbiemrit me emrin. Brenda vetë klasës së mbiemrave vihen re shkallëzime të problemeve të përshtatjes:
Nga këqyrja e rasteve të përshtatjeve të gabuara të mbiemrave, del se më shpesh gabohet në përshtatjen e mbiemrave të nyjshëm në raport me mbiemrat e panyjshëm (92:29):

Në muzeumet italiane, ndonjëherë sheh ekrane të vegjël të ngjyrosur që prifti mbante para fytyrës së të dënuarit që të mos shihte gijotinën.
Pika të tjera do të ishin edhe aeroporte të ndryshëm si edhe stacionet e radarëve, që rezultonin shumë dëmtuese për nëndetëset Gjermane.
Këtë vit ishin në modë stofrat shumëngjyrësh.
Timo fillimisht e ka filluar me role episodikë duke luajtur "të huajin" në filmat amerikanë si rolin e arabit Mustafa në filmin "Evil Never Dies" i vitit 1999 për të arritur deri tek amerikani "Johnson".

Jo të gjithë mbiemrat e nyjshëm përshtaten njëlloj. Përdoruesit hasin më shumë vështirësi në përshtatjen e mbiemrave të nyjshëm më -shëm dhe mbiemrave prejpjesorë më -r dhe -ur:

Të rinjtë ngrenë sytë nga qielli, ku yjet gjuhen me gurë të ndezur dhe hëna kuq si gjaku zbret si një unazë me diamante të flakërueshëm.
Dita e zgjedhjeve u shënua nga një pjesëmarrje e lartë e votuesve dhe disa incidente të dhunshëm të izoluar.
Por, kjo nuk do të thotë se ne qytetarët dhe subjektet e bindur duhet të jemi makina të ftohta që përmbarojmë një punë të caktuar.

Përemrat janë një grup tjetër i fjalëve përcaktuese që për nga denduria e përdorimit qëndrojnë pas mbiemrave. Duke qenë një klasë heterogjene, ata paraqesin shkallë të ndryshme vështirësie në përshtatjen me emrat ambigjenë.
Nga shembujt e vjelë nuk dalin raste tipike të përdorimeve të gabuara të përemrave pronorë me emra ambigjenë.
Nga përemrat e pacaktuar që kanë kategorinë gramatikore të gjinisë në numrin shumës janë gjithë, tjetër dhe tërë (të gjithë/a, të tjerë/a, të tërë/a). Janë pikërisht këta përemra që sjellin vështirësi në përdorimin me emra ambigjenë.
Përemri i pacaktuar të gjithë gabohet pothuaj me të gjithë emrat ambigjenë. Janë shumë të pakta rastet kur ai përdoret si duhet:

Por duke iu referuar Kodit Zgjedhor janë shkelur të gjithë afatet për të përgatitur një infrastrukturë zgjedhore që do të garantonte zgjedhje të lira e demokratike, të mira e të standardeve demokratike.
Sipas projektit, brenda 2 vitesh, të gjithë bizneset do të regjistrohen në një sportel të vetëm.

Vështirësi paraqet dhe përshtatja e përemrave të pacaktuar tjetër dhe tërë, por jo në të njëjtën shkallë si përemri gjithë.

Butoni i menysë është një diamant prej 0.25 karatësh, ndërkohë që dhe diamante të tjerë zbukurojnë trupin e celularit.
Nëse vendi ynë me kapacitetin ujor që ka, të kishte mundësi t‘i shfrytëzonte, të tërë qytetet do të kishin hidrocentralet për të plotësuar nevojat e furnizimit me energji elektrike.

Shpesh ndodh që përdoruesit e shqipes kalojnë në hiperkorrektizma - rregullën e përshtatjes së fjalëve përcaktuese me emrat ambigjenë e përdorin edhe në rastet kur kjo rregull nuk gjen zbatim, p.sh.:

a. Këto mendime kundërshtojnë njëra-tjetrën.
në vend të
b. Këto mendime kundërshtojnë njëri-tjetrin.

Siç vihet re dhe nga shembulli, megjithëse në fjalinë (a) përdorimi i përemrit njëra-tjetrën vjen më se natyrshëm, trajta e saktë është forma e gjinisë mashkullore (b) e jo ajo femërore. Kjo ndodh sepse pavarësisht se fjala mendime është në numrin shumës, secili mendim kundërshton tjetrin, pra ruhet gjinia mashkullore e përemrit sepse ai i referohet fjalës mendim në numrin njëjës.
Këmbimi i formave të gjinisë femërore me atë mashkullore vihet re dhe në përdorimin e përemrit të pacaktuar njëri kur u referohet emrave ambigjenë:

Në dyqan kishte shumë albume, por unë zgjodha njërën me kapak të kaltër.

Gabime të shumta hasen në përdorimin e përemrit dëftor këta në vend të formës së duhur këto kur paraprin emrat ambigjenë:

Disa ekrane me mbushje të lëngut të kristal LCD nuk përputhen me frekuencën e kartës grafike të kompjuterit, kjo kërkon nga këta ekrane një regjistrim të fotografisë në përbërje të tyre.
Duket se beteja do të zhvillohet në mes River Plates dhe Barcelonës, pasi këta ekipe kanë oferta më të mira.

Po kështu ndodh dhe me përemrin dëftor ata kur përdoret në vend të trajtës ato:

Patëm diskutim publik pothuajse një muaj dhe të gjithë ata subjekte të cilët kishin mundësi i dorëzuan vërejtjet e tyre.

Më pak gabohet me përemrin dëftor i tillë duke pasur parasysh se vetë denduria e përdorimit të këtij përemri në fjali është e vogël:

Absurditete të tillë bëjnë njerëzit që nuk e njohin realitetin në të cilin jetojnë, që nuk i njohin kriteret elementare me të cilat sajohen veprat shkencore dhe historike.

Përdoruesit hasin mjaft vështirësi në përshtatjen e përemrit lidhor i cili me emrat ambigjenë:

Këtë vit pati shumë aplikime, prej të cilëve juria dalloi 18 që u përgjigjeshin kërkesave.
Megjithëse fare e re në moshë, këngëtarja ka realizuar disa albume të cilët janë nxjerrë në tregun muzikor.

Nga përemrat pyetës që kanë kategorinë gramatikore të gjinisë (cili, i sati), në shembujt e vjelë paraqet problem përshtatja e përemrit cili me emrat ambigjenë, ndërsa përemri pyetës i sati gabohet, por shembujt janë shumë të pakët, sepse vetë ky përemër përdoret shumë rrallë.

Cilët janë dy romanet më të rëndësishëm të jetës së tij?
Cilët janë disa nga personazhet e pëlqyera nga ju dhe të tjerët?
Të satët u renditën gjimnazet e Tiranës?

Edhe më e ndërlikuar paraqitet përshtatja e numërorëve me kuptim përmbledhës me emrat ambigjenë.
Sipas gramatikës, në gjendjen e sotme kemi të bëjmë me një dysor normativ dhe si më i drejtë sugjerohet përdorimi pa tregues gjinie. Forma të dyja vajzat është shtrirje analogjike e përdorimit të emërzuar (Të dyja erdhën).
Nga shembujt e vjelë, vihet re se përdoruesit janë të luhatur në përshtatjen e numërorit sipas gjinisë, por mbizotërojnë trajtat e numërorëve pa treguesin gramatikor të gjinisë:

Për veprën e këtij kleriku është shkruar në të dy botimet.
Po të ishte kështu, atëherë do të thonim që kam firmosur me të tre këta ekipe, - ka saktësuar numri 4 i kuqebluve.

Shpesh emrat marrin më shumë se një fjalë përcaktuese. Kjo vihet re dhe në shembujt e marrë me emrat ambigjenë që mund të grupohen në:

- raste ku të gjitha fjalët përcaktuese përshtaten si duhet:

Këto personazhe publike kanë deklaruar se 150 paqeruajtës mund të kishin parandaluar pushtimin e saj.
Balerini i famshëm shqiptar, idhulli i mijëra e mijëra adoleshenteve italiane, do të shfaqet të premten e ardhshme në të gjitha ekranet e mëdha të kinemave italiane.

- raste ku ndonjë nga fjalët përcaktuese nuk përshtatet si duhet:

Flamurtarin e konsideroj si një kundërshtar si të gjithë ekipet e tjera, aq më tepër kur kujtoj se në ndeshjen e fazës së parë ka fituar me ne 3-2.
Ky është një problem për të gjithë vendet e rajonit dhe këta vende po bashkëpunojnë mirë me njëri-tjetrin për ta luftuar atë.

- raste ku të gjitha fjalët përcaktuese nuk përshtaten si duhet:

Ky botim, pra, që ishte më i miri e më i ploti se të gjithë botimet e tjerë të mëparshëm, u mor si bazë për ribotim dhe janë bërë ndryshimet e nevojshme.
Po të shohësh të gjithë konfliktet e sotëm, shpejt e kupton që, ndonëse bipolariteti i Luftës së Ftohtë ka marrë fund tashmë prej 15 vitesh, bota vazhdon të kërkojë një rend të ri.

Gjatë procesit të kalimit të këtyre emrave në numrin shumës nga gjinia mashkullore në femërore, vëmendja e folësit përqendrohet më shumë në theksimin e sasisë, sesa në dallimin e gjinisë.
Shpesh përdoruesit u drejtohen fjalorëve për të gjetur zgjidhje, por jo rrallëherë mbeten pa përgjigje. Nga hulumtimi i bërë në fjalorë të ndryshëm shpjegues të shqipes (1980, 1984, 2006) për këtë grup emrash ambigjenë vihet re se:

- Në të shumtën e rasteve në shpjegimin e fjalës përkatëse nuk jepet asnjë shembull i saj në numrin shumës, p.sh. ekip, ekran, mesazh, roman etj.
- Në disa prej tyre jepet trajta e shumësit, por e pashoqëruar me fjalë përcaktuese mbiemra, përemra dhe numërorë për të parë përshtatjen e tyre në fjali, p.sh. çift, dialekt, diamant, emision etj.
- Në pak raste trajta e shumësit jepet e shoqëruar me fjalë përcaktuese mbiemra, përemra dhe numërorë dhe përdoruesit e kanë të lehtë të bëjnë përshtatjen e duhur, p.sh. kontakt, ligj, monument, tekst etj.

Do të ishte e udhës që në këta fjalorë, në shpjegimet përkatëse të emrave të këtij grupi të jepen shembuj tipikë të emrave në numrin shumës të shoqëruar me fjalë përcaktuese.
Nga puna për vjeljen e shembujve për këtë dukuri u vu re se mbizotërojnë rastet kur respektohet ambigjenia, sidomos kur kemi të bëjmë me mbiemra që kanë trajta të dallueshme qartë në të dyja gjinitë. Megjithatë, siç shihet dhe nga shembujt ilustrues, nuk janë të pakta rastet kur përdoruesi has vështirësi në përshtatjen si duhet të fjalëve përcaktuese me emrat ambigjenë.
Collapse


 
Pages in topic:   < [1 2]


There is no moderator assigned specifically to this forum.
To report site rules violations or get help, please contact site staff »


Mbi disa raste të përshtatjes me emrat e dygjinishëm






Protemos translation business management system
Create your account in minutes, and start working! 3-month trial for agencies, and free for freelancers!

The system lets you keep client/vendor database, with contacts and rates, manage projects and assign jobs to vendors, issue invoices, track payments, store and manage project files, generate business reports on turnover profit per client/manager etc.

More info »
Wordfast Pro
Translation Memory Software for Any Platform

Exclusive discount for ProZ.com users! Save over 13% when purchasing Wordfast Pro through ProZ.com. Wordfast is the world's #1 provider of platform-independent Translation Memory software. Consistently ranked the most user-friendly and highest value

Buy now! »