Off topic: LETËRSI - Rrëfenja nga Amerika - Pëllumb Kulla
Thread poster: Monika Coulson
Monika Coulson
Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 04:25
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
SITE LOCALIZER
Aug 8, 2003

Pëllumb Kulla

Rrëfenja nga Amerika
-Përjetime dhe portrete shqiptarësh në mërgim-

Një politikan i Tiranës vjen në Uashington


Nuk heq, që nuk heq dorë Nesti nga politika!..
Nesti këtu në Nju Jork dhe im kunat atje në Tiranë, secili nga një djalë të vetëm kanë, po veç, kur bëjnë be për kokë të kryetarit të partisë, besoju, s’të gënjejnë!
“Shëko bre kushëri punën këtu n’Amerikë, se e ke të
... See more
Pëllumb Kulla

Rrëfenja nga Amerika
-Përjetime dhe portrete shqiptarësh në mërgim-

Një politikan i Tiranës vjen në Uashington


Nuk heq, që nuk heq dorë Nesti nga politika!..
Nesti këtu në Nju Jork dhe im kunat atje në Tiranë, secili nga një djalë të vetëm kanë, po veç, kur bëjnë be për kokë të kryetarit të partisë, besoju, s’të gënjejnë!
“Shëko bre kushëri punën këtu n’Amerikë, se e ke të mirë,- i them ngaherë Nestit,- e mos shëko ç’bëjnë ata që kacafyten në Shqipëri, oreee!” “Qepe, Peço, se ti nuk di nga lidhet gomari, ma këthen ay. E mira jonë është në mëmëdhe!”
Tëmën e sëmës, që nga Amerika, Nesti paguan kuotat e partisë në Shqipëri! Seç e kanë vënë atje në një këshill të përgjithshmë, vete jep intervista, del në televizor e u thotë broçkulla sikur demek, Amerika i ka sytë te parti e tyre!
Më vjen Nesti një natë, kur po parkonja limuzinën e më pyet a do isha i zënë javën që vinte. E pyeta ç‘kërkonte e më tha se të mërkurë, më desh me limuzinë në Vashington.
• I madhi i partisë tonë vjen nga Tirana e do që të takojë të mëdhenjtë e
këtushmë, - tha. - Ti do vish me mua e do të të mbaj atje. Ta kesh për nder, se limuzina tënde do të vejë dëpër tërë takimet. Të pëlqen?”
• Më pëlqejnë paratë, - i thashë. - Unë punë dua!
Ay më tregovi për zgjedhjet që do bëshin në Shqipëri ato ditë e më tha se për këtë
Nesti do të shkonte që nga Amerika e do rrinte dy javë në Tiranë. Do ikte tok me të madhë e partisë, pe Vashingtonit, në një aropllan. Unë do i shpinja gjer në aroport e pastaj do këthesha vetë në Nju Jork, të premten mbrëma.
• E prishur mos qoftë! - i thashë.
Nesti më porositi ta qepnja gojën për sa do shihnja e sa do dëgjonja. Zgjedhjet
në Shqipëri ishin të fituara dhe ardhja në Vashington do t’u vinte vulën.
• Paratë nuk do të t’i kursejmë, - tha Nesti, - po këto dy gjëra i duam nga tynë:
limuzinë të ndritur dhe gojë të qepur!
• S’të flas dot , - ia bëra – se e kam qepur që qëparë!
Ma shtërngovi dorën sa më krisnë koskat e me Nestin u pamë të mërkurë.
Nga Tirana të nesmen më mori kunati pa gdhirë në telefon e dukej se po
fluturonte: - Ay…, dëgjon-o? Ay, i madhi jonë, vjen atje! – më tha, - po nuku flas dot gjatë se s’kam para! – Dhe krëk ma mbylli.
Si Nesti dhe kunati im paskej plot këtu te ne, se Kryetarë e partisë, atë të mërkurë mbrëma, n’aroport të Vashingtonit, kishnë dalë ta prisnin nja njëqind veta. Nesti më tha që ta hiqnja limuzinën mënjanë se ai, pas takimit me mërgimtarët, do ta nxirrkej Shefnë nga një derickë e fshehtë. Ashtu u bë. I mbajta hapur derën Shefit, ay hipi me nxitim në limuzinë, tok me një badigard, dy ndihmësat që kish me vete, pas tyre Nesti dhe çamë ferrën dëpër natë. Nesti më jepte drejtimnë e ata flisnin për zgjedhjet e për ca spiunë të partisë që paskërkshin nxjerrë sekretnë e udhëtimit të Shefit n’Amerikë. Nga llafet e tyre mësonja se dhe njerëzit që e njatjetuan në aroport, nuk patnë arritur të marrën vesh as hotelë as vendet e takimeve me politikanët amerikanë. Desh Zoti, sekreti nuk ka dalë i tëri, psherëtivi Shefi.
I shpura buzë lumit Potomak, në një hotel të zinxhirit Hollidei Inn. Potomaku, vënde vënde, më kujton Devollë, kur e frynin shirat e vjeshtës. Zumë dhomat: ca oda pa salltanete në kat të katërt. Mysafirët pe Tirane iu sulë krevatve e ranë si të vdekur. Mua më patnë caktuar në një odë me badigardë, që as më foli as i fola, se dhe ay ra top në krevat.
Të nesmen u ngrita shpejt e bëra gati limuzinën. E fërkova e bëra xixë dhe nisa të prisnja rrugën e parë, po asnjeri s’po bëshe i gjallë. Aty afër drekës njëri pe ndihmësave dolli nga hoteli, u këthye sakaq duarmbushur me gazetat më kryesore amerikane dhe u ngjit me to, në odë të Shefit. Ndihmësin e pashë prapë në ballkon, që më thirri lart se Shefi desh të më takonte. Lashë fërkimnë e limuzinës e bëra përpjetë shkallëve. Kryemysafiri më dha dorën e më falnderovi. Atij i qe bërë qefi shumë, që isha kusho me Nestin. Kushua, aty mënjanë, qeshte si maçok. Ndihmësi tjetër në odët ngjitur, po provonte të lidhej me Librazhdin. Me ç‘dukej ai nuk kish gjetur cilësi të mirë linje, se të thirrurat po shponin muret.
• Alo Librazhdi këtu Vashingtoni? Më lidh me Ruzhdinë. Këtu Vashingtoni
jemi… Librazhdi? Ruzhdi? Hë… E prezantuat kandidatnë-o?
Ca më tej ay solli te Kryetari lajmet e Librazhdit dhe tregovi se tërë gazetat e
vendit vrisnin mëndjen për kët udhëtim n’Amerikë. Ay tha se për këtë udhë, entuziazmi në besnikët e partisë, kish arritur qiellë e ish ngjtur më la. Në sytë e mëndjes, mua m’u fanit kunati.
U kërkova të më jepnin lejë të dilnja e t’i prisnja te limuzina, por Shefi më tha se do hamim bukë tok, aty brenda në dhomë të tij. Badigardi solli dy pica të mëdha sa dy lëmenj dhe u mblodhmë të tërë rreth tryezës. Ashtu siç përtypçim, pica u kujtovi atyre Italinë dhe atëças u përshesh muhabeti: u zu në gojë një farë Ruteli, komisjoni i zgjedhjeve në Kurbnesh, një fjalim që paskërke mbajtur një me emër Beluskoni, lista shumëemrore që duhej rishëkuarë, blerja e një mikrobusi Fiat për partinë, prapë pica dhe prapë nevoja e kontakteve më të shumta me Italinë.
Pas dreke e fshiva edhe dy herë të tjera limuzinën po nuk vajtmë asgjëkundi. Dhe ata prapë u shtrinë shpejt. Tëmën, thashë, kaq të lodhur të jenë këta-o?!
Do kishim ditë të ngarkuarë të nesmen e unë që pa gdhirë i futa një të hekurosur kostumit. Ama, krëckë e kisha! E vishnja për herë të parë. Sebepi ish i madh bre. Nuk do të dilnja si rozgë, kur t’i hapnja derën Kryetarit n’oborr të Departmentit të Shtetit, a dofta … në Shtëpi të Bardhë! Ama, më kujtohej Shtëpi e Bardhë - shurra më zinte! Ajrosa limuzinën i shfryva ca livando nga shishka më e mirë dhe i kuptosa dyert. Pastaj nisa ta fërkonja maqinën prapë. Fërko e fërko… Po më bëshin gishtrinjtë copë, e ata s’bëshin të gjallë!
Nga ora njëmbëdhjetë Kryetari dolli në ballkon të tij. Më pa te limuzina, e ma bëri njatjeta me dorë. Pastaj u ul në një karrekllë e piu atje një kafe e dy Marllboro. U këthye prapë brenda, po nuk harrovi të më thërriste lart. Vajçë. Në korridor ngatërroshin të thirrurat e ndihmësave, që që nga dhomat e tyre, lidhçin me zonat e zgjedhjeve në mëmëdhe:
• Këtu Vashingtoni! O ti Fieri, a i ndreqtë listat e votuesve të Sheqit
të Madh? Nga Vashingtoni pyesim…. Alo! Paskuqani…
Bëhej një lëmazhdë emrash e fshatrash shqiptarë, që flisnin me Vashingtonë,
aq sa të hipte dëpër trup një zjarrllëk respekti a krenarie për këta djem të palodhur, që këtu dy çape pe Shtëpisë së Bardhë, mëndjen e kishnë atje te zgjedhjet, te kutitë… Nuk dinin pushim, ata oreee, por varda, sa mbaronin me Bilishtnë kërkonin Hotolishtnë, sa linin Paskuqanë, lidhçin me Murriqanë! Kur mos i kem tërë, bota qe bërë e vockël!..
Ndihmësat i suallë Shefit një vandak fletësh me artikujt pe të gazetave shqiptare, që vizitën e tij të papritur në Vashington njëra palë e shëkonte si ogur të mirë, kurse pala tjetër e shëkonte me shqetësim, me parashikim të donjë lëvizje të papritur të politikës së jashme të Bushit. Hamendje gjithfarë-o!. “Obo-bo ç‘do më hapet punë mua” thashë me vete dhe xheç zbrita prapë të fërkonja limuzinën, po Shefi më tha të rrinja se do hamim prapë drekë.
Sufllaqkat që kish blerë bodigardi ishin të nxehta. Sufllaqet shiteshin shumë n’Amerikë e ky sebep u solli atyre në sofër punët me grekërit. Ashtu dyke ngrënë i qëndisnë një telegram Simitisit, për ditën e lindjes.
Kur kish akoma dhe donjë hosten diellë, ngjavi ajo që prisnja që pe dy ditësh: erdhi sëra e limuzinës time! Nesti dolli në ballkon e më thirri: - Tani, Peço, ndize e rri gati!
Sa të vinin ata unë u pashë në pasqyrkë: kostumi ishte akoma krëckë, një rrudhkë s’i kisha bërë! Ata xbritnë me valixhe dëpër duar e u futnë vargan në limuzinë. Pashë nga Nesti, demek, më jep udhë!
• Në aroport! Jemi për Tiranë! - ma bëri kushua. Unë e pashë me çudi, po ay
më shkeli buzën e poshtme, demek, mo ha mut, po bëj ç‘të thonë, ti një copë shofer je dhe paratë t’i dhamë!
Ama jo, thashë me vete, ç‘punë kam unë se erdhka një delegacion nga Tirana për një picë e dy sufllaqka!
E u bëra erë…


* * *
Kunati më mori në telefon nga Tirana, që të nesmen. Avazë, ay:
• Peço unë po e mbyll e më merr tinë, që andej, ce unë s’kam para!
Nuk e zgjata. Kunati andej, nuk mbahej nga gëzimi. Më llafosi plot
tetëmbëdhjetë dollarë e njëzetetre cente. Kaq dëftente fatura e telefonit , kur më erdh më prapa . Më tregovi që ishte tok me qindra e qindra të tjerë, që kishin pritur kryetarë, në Rinas.
• E di ç‘u bë këtu-o? Zjarr, bre zjarr! Xheç u dogj Rinasi, o për kokë të
Benit! Më llafosi Nesti për ty. Po ti, o zuzar, ce nuku na the që kishe qënë me limuzinkën tënde në tëra takimet? Mirë thonë, që Peçua në vend të gojës ka kasafortë!
Të mos kisha vënë dorën mbi kasafortë, unë xheç ia plasa të qeshurit.
• Dëgjon-o?. E di bre, si ishte Rinasi? Kur u dha Shefi te dera e oropllanit me
atë fytyrën e tij të bukur, që i llapste nga drit e gëzimit, nuk mbahej populli. Policia po hiqte të zinë e ullirit. Gazetarët ishnë çkulur dyke lënë tërë aktivitetet për zgjedhjet e ishin ngulur atje pe dy orësh. Unë isha afër me kandidatnë që vumë në Librazh. E zumë kryetarë dhe e hodhmë përpjetë. Gazetarët xheç e mbytnë me të pyetura: “Si shkuan takimet në Vashington? Çfarë premtime muartë pe Shtëpisë së Bardhë? A është e vërtetë që takuatë Povellin? Çfarë u tha Povelli?”… Kryetarit i rrëzëllinte çehrja. Ku e gjen gjithatë nur o në p.. të sëmës! E di ç‘u tha-o? “Zotërinj, - u tha, - kot ini munduarë. Rruga jonë ishte një shëtitje e thjeshtë, për të bërë pak pushim buzë lumit të Vashingtonit” Me një llaf, kush ka mënt le ta kuptojë! Aty u dha një nga ata gazetarët turi-misqinë, që Kryetarë tonë e do ta shohë të pjekur në hell. E pyeti: “Zoti Kryetar, ka pëshpëritje që ky udhëtimi juaj i papritur, ish urdhëruar nga Bushi… Me cilin biseduat ditën e parë?” E di si iu përgjegj Kryetari-o? – më pyeti kunati nga Tirana.
• Jo, - i a bëra unë që këtej nga Nju Jorku.
• I a dhjeu inglisht: “ Uell!… No-mor-komente”, i tha… E di ç‘do të thotë kjo,
o Peço?
• Jo, - ia bëra unë prapë.
• Kjo do të thotë: tashi do ia shëkoni avazë kësaj rrugës që bëmë ne atje! Tashi
që vamë në Vashington-o? Tashi, hapuni maskarenj, se do t’ju hamë tëmat!…

[Edited at 2003-08-12 03:42]
Collapse


 
Monika Coulson
Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 04:25
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
SITE LOCALIZER
Përse të akuzoja atëhere, or më qafsh?! Aug 12, 2003

Pëllumb Kulla


Rrëfenja nga Amerika
-Përjetime dhe portrete shqiptarësh në mërgim-


Përse të akuzoja atëhere, or më qafsh?!




Për portierë fotbolli e për hetuesa që të punonin qindin, nuku kish vend t’ia kalonte dot Korçës tonë!…
Kam rrëfyerë shumë, po nuku kam rrëfyerë më të bukurën, atë që më ka ndodhur njëherë këtu, vite të shkuara…
E po kur të qaj tërë, kurrë n
... See more
Pëllumb Kulla


Rrëfenja nga Amerika
-Përjetime dhe portrete shqiptarësh në mërgim-


Përse të akuzoja atëhere, or më qafsh?!




Për portierë fotbolli e për hetuesa që të punonin qindin, nuku kish vend t’ia kalonte dot Korçës tonë!…
Kam rrëfyerë shumë, po nuku kam rrëfyerë më të bukurën, atë që më ka ndodhur njëherë këtu, vite të shkuara…
E po kur të qaj tërë, kurrë nuku do ma mirrte mendja se në mes të Pellham Parkut do më fanitej hetuesi im, ay që më pat nxjerrë ujë të zi një herë vaftit! Sefte e pashë kur po zgjidhte banane në Lajdig Aveny. Ay më pa e mbeti. Unë i hoqa sytë. I hoqa unë po s’m’i hiqte ay. E takova më pas dhe nja dhjetë herë të tjera e gjene unë i hiqja sytë i pari. Ay ishte gati të më jepte të njohur, por unë, fësht, tutje! Shtatë muaj rresht kjo punë!
Atë ditë më zuri ngushtë. Unë i ulur në një stol të parkut, ay u dha. Asnjeri tjetër. Unë e ay. Gjene m’u qep ky, miza e kalit, o në ..çkë të sëmës! Gjene me një gazetë shqiptare të zhubrosur në dorë!
E pashë me bisht të syrit. Ay ka mbajtur çapnë e po shëkon këtej nga mua. Këtë rradhë, më duket nuku do më ndahet, thashë.
E nuku m’u nda plaku. M’u afrua e më ndënji një të pështyrë larg. Bëra sikur e vura re atë ças. Po më foli, thashë, do t’i flas! Më foli:
• Që je shqiptar këtë nuk e diskutoj më, - ia nisi Taqka. - Të shëkoj gjthnjë dhe,
hë të flas sot, hë të flas nesër!
Unë s’lëviza hiç pe stolit. Po ama, as shënjë që gabohej, nuk i dhashë. E shihnja
unë që Taqka desh t’i shkonte gjer në fund:
• Do të më bësh vend të ulem ca-o? – pyeti dhe m’u ul pranë. - Dhimitraq ma
thonë, - më tha. - Ore ku jemi parë, bashkë?
Ke parë kështu ti?! - Nuku më mban mend? – i thashë me një zë që edhe vetë u çudita, se si m’u ngjir papandehur. - Të më vraç, - tha, - nuku të sjell dot në hatër!
Para shtatë muajsh, kjo do dukej e pabesueshme, por tashi e besova që
plaku nuku më njihte vërtet. - Po mirë-o, - i thashë, nuku më mban, nuku më mban!
• Jo, po unë dua ta di, - ngulte plaku këmbë, si mushka.
Dua ta heq nga qafa, po më hiqet ay! - Po më mirë bre, të mos e dish! - ia bëra.
– Jo, më mirë ta dij. – Dhe pa e lënë brazdën, vazhdoi: - Jemi pjekur donjëherë në Shqipëri?
E po kjo pikë e zezë! Oh, krimb i gjizës! Ky nuku më desh mua, jooo! Këtij i duhej donjë hundë lesh që t’i rrëmbente një dru, që t’i binte shtatë herë e t’ia nëmëronte një! Gjene thashë, hajd t’ia shkund kujtesën nga rrodhet:
• A ke qënë hetues, zotrote? - ia prita si me tokmak. Ay u hutua e po më
përpëliste qepallat si guak. Shtyje dhe ca Peço, i thashë vetes. – S’e sjell dot në hatër-o? Në burg të Korçës, e kujton tashi, besoj!
Të ish donjë tjetër do ngrihej e do bëhej def, me bisht në shalë, por Taqka
duket e ndjeu, se unë të hanja munë, jo të nxirrja inatet!
• Mos more! Të kam bërë hetimnë? Të kam marrë në pyetje, ëh? - Të thoshe ti,
Taqkës nuk i delte e keqja. - Eh moj e kaluarë e hidhur!.. – i binte gjunjëve. (Tëmën, thashë, do të zerë të më qajë këtu!) - Mo më thuaj që të kam torturuarë! – tha dyke m’u lutur.
• Po të duash nuk e them-o, - i a bëra, - po e vërteta është se…
• Hajde regjim i poshtër hajde! – psherëtinte plaku që nga thellësirë e shpirtit e
nisi ta shajë me rrënjë e me degë diktaturën: - Dhe me siguri i ke ngrënë shtatë vjet prapa hekurave, në palcë të rinisë! I ke ngrënë, i ke ngrënë! Ah moj diktaturë e fëlliqur ç‘ke bërë! – Dhe kthehej nga unë: - Po a je mirë? Ncë-ncë! Përse të akuzonja, mor aman, më qafsh?
• Do të ta them-o, posi, i thashë: Kot fare! Se, gjoja, dëgjonja “Zërin e
Amerikës”. Se, demek, desha të arratisça dhe të vinja këtu në Shtetet e Bashkuara…
Plaku vazhdonte ofshamat e pikëlluara rradhë-rradhë, gjer u kujtua se më zu me
presh në duar. Nisi të zgërdhejë e të më tundë gishtnë, me qortim pe mësuesi.
- Në fakt, ja ku je n’Amerikë! Hë-hë! Nuku paska qënë kot!
- Shpifje bre! Atëhere nuku kishnja dërmend! – ia preva.
• Këtë, as tani s’ta pranoj. – ma previ dhe ay dhe unë e pashë, që kot i kisha
ndënjur ftohtë, pasi asgjë s’e pengonte Taqkën të kënaqej me mua, si me një mik të vjetër. Ma lëshovi firomën në vesht e më pëshpëshi ngadalë, sikur Sigurimi të na paskej ngjitur përgjuesa edhe dëpër stolat e Pellham Parkut: - Tërë bre, tërë ne e ëndërromim Amerikën, atëhere! Si ju që rriheshit, edhe ne që u rrihmim. Hë po diktaturë e poshtër, që na mori më shumë se gjysmën e jetës! - Na e mori… - ia bëra me zor pas tij. - Ah moj diktaturë e mallkuar! Ah o sistem maskara!
- Maskara, - i mbajta iso pa qef e fillova ta marr inat veten, ce jo vetëm nuku po i lanja borxhet, por po i vinja edhe pas avazit. E bile, dyke dashur mos ma merrte fjalën “maskara” për veten e tij, nxitova ta përsëris gjene: - Sistem maskara!
Më erdhi turp pe vetes, kur të qaj tërë. Tëmën, thashë, po unë pse nuk ia ndërroj këtë mut teme, po e le të dërdëllisë dyke sharë bot e bot diktaturën! E pyeta si ia kalonte tashi.
• Me halle shumë. – ma bëri dhe lëshovi një derro psherëtimë, sa thashë se
dha shpirt. - Po tashi, - më tha, - që amerikanët më dhanë strehimnë, sikur më mbarë po më vete.
Rrufenë e kisha pritur, këtë jo! Deshnja unë ta linja temën, po s’më linte tema mua. Kushedi sa do t’i kem çakarritur sytë, se Taqka më kuptovi.
- Ce habitesh-o?.. Tërëve neve që e kemi urryerë diktaturën, na e dhanë, - tha.
- Po ja, - iu qava, - mua nuku po ma japën akoma!
- E po ti dofta nuk e ke urryerë aq sa neve të tjerët, - ma shpegovi dhe desh ta nxirrte shkaknë: - Ja, pasi ... mbaruamë punë bashkë, atëhere, ç’ke bërë? – Unë nisa t’i tregoj që pe ditës që pranova akuzat. - Në fakt, - ma previ fjalën Taqka, - jo që të mburrem, po me mua, të tërë i pranonin akuzat. Hë, më fal! Pastaj, ç’bëre?
- Ato të shtatë vjetët!.. - iu përgjigja e teksa plaku vazhdovi ta shante me rrënjë e degë sistemnë, unë desha ta vërtetonja akoma: - Vërtet nuku më mbanje mend?!
- Po kuuu, bre! – u shfajësua me fytyrë qarramani Dhimitraqi. - Sa kam kaluarë unë dëpër këto duar! More, more, more! Të zestë male që s’piqen dot, pa njeriu me njerinë u pjekërka! – E pyeta se si i kish vajtur filli atij më pas. - Regjim i poshtër, bre bir, - tha. - Pasi mbaruamë punë bashkë, nuku më rreshtnë trasferimet! “Na duhet një hetues i zoti atje: shko Taqkë! E ka kyçur njëri gojën këtu: hajde Dhimitraq!”.. E kështu gjer sa suallmë demokracinë…
Të na shihte njeri tok, do ta zinte lemeria. Të ngjanim ne, or byrazer, si dy miq të vjetër që kanë kaluarë të tharta dhe të ëmbla tok. Kur mos kem babanë, dukshim në stol tamam siç e thonë këta kllasikët e rinj të demokracisë, si dy bashkëvuajtës, që po shamim sistemnë, që na kish bërë bashkfajtorë e vazhdomim me pyetka, për rrugët që na kishnë shpënë larg njëri tjatrit.
• Po tani-o, me se merresh? – pyesnja unë, bashkëfajtori, të gjorin Taqkë, -
nuk u ke kërkuarë donjë punë si hetues, këtyre të Amerikës-o?
- Uell… - ma kthente me një fjalëzë amerikane bashkëvuajtësi im, që si tashi e sjell në hatër, ashtu me mëngë të përveshura në hetuesi, - në fakt, ma propozuanë. “Nuku kam fuqi, bre, u thashë, mua më ka drobitur biruca”…
- Biruca?!!! - Rrufeja e dytë, kjo! Këtu më kërcyenë mua. I butë i butë, po kjo ishte të qaje me oiii!.. Njëmijë susta më shtynë përpjetë, drejt e më këmbë: - Po tinë nuku the që ke qënë në burg!
- Nuku thashë unë, po ama e thotë shkresa! – ma bëri ay pa u ngritur pe vendit. - E kur e thotë shkresa me firmë e vulë, zere se ke qënë! Hë mo derëzi, se tërë kemi vojtur në atë skëterrë!.. Shkresën ma dha një njeriu im, në Komitet të Përndjekurve. Ay ma mbushi e unë ua paraqita këtyre…
Tëmën-o, për atë ditë m’i paskëshin mbledhur të tëra çuditë! - Njeriu yt?! Ke patur ti njeri nga fisi, të përndjekur?! – ulërita.
- Kush mo tha, nga fisi! – Taqka vazhdonte të fliste ulur, avash avash. - Tërë ata të përndjekurit e komitetit, i kam kaluar dëpër duart e mia.
• E po kjo…kjo nuku është e drejtë, bre! – po shfrynja unë. - Ja thuaj të drejtën!
Biseda e ngrohtë tani na kish lënë shëndenë. Unë zjenja, ay valovi i pari! Vrëng,
përpjetë dhe më erdhi para turinjve!
- Cila, mo, nuk është e drejtë! Cila?! Patriot, patriot, po… nuku të duroj unë! Mbylle kamaren e rri rehat aty! – Tani po ma kujtonte tamam atë Dhimitraqnë e parë. Nga e kish fshehur tërë atë zë, o e vrafshin me bukë në gojë! Sokëllinte o sokëllinte: - Nga juve, më tha, i patmë ata dyzetepesë vjet, që kur i kujtoj më dalin mornicat mbi pantollona! - Nga neve-mo?!!! – i a bëra. – Nuku na e ka fajnë njeri, oreee! - ia bëri, - vetëm juve!
• Po ç’faj u kemi neve mo?! Juve na shqeptë me hu! – i u këtheva unë. – Na
futët spica dëpër thonj.. Na futët vezë dënë sqetulla. Vezë nuku gjenje në dyqane, ce i mbanit juve bre, për sqetullat tona! A duronim dot neve-o …?
Unë bot e Taqka qyt: - Të duronit-o, posi! Kur është fjala për liri e demokraci, për popullin, njeriu duhet të durojë, oreee! Po të rezistuakshit juve, nuku do na kish zgjatur aq shumë diktatura. Ja mo ti, ti: a ishe fajtor ti, kur të dënova? - Asnjë çikë! – i thashë pas njëzet vjetësh! - Sigurisht, që nuku ke qënë - tha edhe ay, po pas njëzet vjetësh, - po a e pranove fajnë? – E pranova… - pranova kokunjur unë.
Këtu Taqka më ulërivi, sa në dyzet vjet, ulërimë të tillë s’pata dëgjuarë. U tund
Pellham Parku o në …çkë të sëmës!
• Po pse e pranove, mor… mor…?! Po unë kisha qef bre, t’u a përplasnja në
sy, shefave të mij e t’u thoshnja: “kot ma kini sjellë këtë, oreee! Ky është pa faj!”
• Po t’u thoshnje -o, posi!
• Po ç’t’u thoshnja unë, mor ta thëntë prifti! – xheç më mbyti hetuesi im. – Ç’tu
thoshnja, kur ti e pranonje menjëherë! Ta hanja unë-o?! Të merrnja më qafë djemkat e mi-o? Ju marrtë dreqi juve, ljepuj! Na e bëtë jetën zeher. Na mbajttë më këmbë gijthatë palo regjim!… Do kishimë ardhur n’Amerikë, tridhjetë e ca vjet më parë!.. Do kishmë hapur donjë biznes.. Ju ngrëntë murtaja, ju ngrëntë!
Iku me kacabunj të ngritur dyke sharë e turfulluarë. Dhjetë çape e kthe kokën, dhjetë çape e kthe kokën! E ma hidhte mua flakën e syve, sëkur i kishnja vrarë babanë, sëkur i kishnja shkatërruarë jetën.
Unë mbeçë si gallof e për atë Zot, në po e kuptonja, se ce nuk e kishnja më Taqkën aq inat, sa ç‘e kishnja mote të shkuara?! Dy gjëra ishnë: o ay kish të drejtë ose ma la mua prapë pilafnë!…
Collapse


 
Monika Coulson
Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 04:25
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
SITE LOCALIZER
Një nuse shqiptare rrëmbehet në Nju Jork Aug 13, 2003

Pëllumb Kulla

Rrëfenja nga Amerika
-Përjetime dhe portrete shqiptarësh në mërgim-


Një nuse shqiptare rrëmbehet në Nju Jork




Tëmën bre!, duhej pa tjetër të vinja gjer në Amerikë që të mësonja se sa ndryshojnë zakonet nga të katër anët e vendit tonë të vockël. Po çudia më e madhe është se ca krahina jo vetëm që i ruajnë duke ua treguar nipkave të lindur në Amerikë se ç‘lloj zakonesh ndiqni
... See more
Pëllumb Kulla

Rrëfenja nga Amerika
-Përjetime dhe portrete shqiptarësh në mërgim-


Një nuse shqiptare rrëmbehet në Nju Jork




Tëmën bre!, duhej pa tjetër të vinja gjer në Amerikë që të mësonja se sa ndryshojnë zakonet nga të katër anët e vendit tonë të vockël. Po çudia më e madhe është se ca krahina jo vetëm që i ruajnë duke ua treguar nipkave të lindur në Amerikë se ç‘lloj zakonesh ndiqnin një herë e një kohë, po edhe i ndjekin këto zakone akoma. I venë në jetë si në fshat edhe këtu, në mes të Menhettenit! Paçka se në vend të oborrit të fshatit, tani kanë tri metro trotuar, në vend të qenit, kanë një alarm e në vend të kalit venë e marrën nusen me limuzinë!
Ca ditë të shkuara, një të diel, e kishnja parkuar limuzinën, - demek, kalën e nuses, - para një billdingu. Në një nga apartamentet, në kat të tetëmbëdhjetë, ca gra këndonin këngë popullore për çupën që po e nxirrnin nuse pe shtëpisë së babajt. Rrugica ishte e ngushtë, siç janë të ngushta e të kufizuara tërë rrugicat e Menhettenit, që kanë veç një drejtim kalimi.
Një makinë policie kaloi bri meje dhe oficeri pa me një farë dyshimi se si kishnja parkuar, po nuku tha gjë. Para 40 e ca vjetësh në fshat, ma ha mendja, parkime nuku kish dhe asnjëri nuku ta shihte kalën me dyshim.
Në këto mendime më thanë të ngjitsha lart, ce më kërkonin. Vajçë pas atij që kish erdhur të më merrte.
Ishte një goxha ndërtesë me roje me uniformë. Një njeri tjatër, po me uniformë, na shoqërovi deri te ashensori dhe hyri tok me ne gjer në kat të tetëmbedhjetë, ku na la të dalëm për të vajtur në apartamentin ku qe nusja, ku ish rritur që foshnjë e gjer sa pat mbaruar universitetet radhë. Hajde apartament, hajde! Lluks o lluks, të të ikte mendja, kur të qaj babanë! Ishte familje e kamur, e ardhur n’Amerikë që para tridhjetë e kusur vjetësh, që kur Titua pat hequr gardhet e kufinjve. Më pritnë me shumë respekt, megjithë rrëmujën që sillnin tërë ata njerëz të ndodhur aty e me tërë zhurmën që bëhej. Në një qoshe të korridorit ndodhej një pjano e madhe, kurse dëpër mure kish piktura, vënë në ca korniza të rënda, ngjyrë floriri. Para se të hynim në atë sallon ku rrinin burrat, nusja na kalovi përpara. Çupë, po çupë ore! T’ i rrëmbenje kokën bre, e të iknje me vrap. T’i thoshe të Madhit Zot: e po mja’ o Zot! Mjaft, veru kyçnë martesave tashi, ce nuse si kjo, në donjë planet tjatër ndofta, por mbi këtë rruzull, nuku vjen më! E gjatë, si selvi e stolisur. Vinte, sidozot, një pëllëmbë mbi mua: me një celular që e shtërngonte mes supit dhe veshit e me një hartë në dorë, i shpjegonte donjë shoqes së saj, se ku ishnë drejtimet e hotelit, ku do shtrohej darka. Ajo më pa mua, kapellën time pe limuzinisti, më njohu se kush ishnja dhe kërkovi ndjesë në telefon. Më dha dorën e më tha:
• Unë jam nusja! Tash ti je pjesë e kujtimeve në këtë ditë të lumtun për mue!
• Të trashëgohesh! E mbushç shtëpinë me djem! - ia bëra.
Nga dhoma e grave krisi kënga që thosh pak a shumë , - se tani s’i mbaj mend fjalë për fjalë e rimë për rimë, që thosh: - “kali që po të merr tynë, të sjelltë të shohç babanë, kali që po të merr tynë, të sjelltë të shohç mamanë, kali që të merr tynë, të sjelltë të shohç gjyshnë… “
Nga lista e këngës mora vesh, se i zoti i shtëpisë, veç nuses, kish edhe gjashtë fëmijë të tjerë, për të cilët duhej të vinte kali, që në këtë rast, ishte limuzina dhe unë përfaqësuesi i saj. Qënkej dashur të ngjitsha lart unë, që gratë të merrnin këngën e kalit.
Më qirasnë me ëmbëlsirë, darovita dhe u derdha tatëpjetë kateve, se do nxirrnin nusen..
Njerëzit filluan të zbrisnin. Në sallon poshtë. dëgjoshin gratë që kishnë zbritur dyke kënduarë, po para se të shfaqshin ato, dolli dhëndri i qeshur, i qeshur sa të thoshe ti, se nuku nevojitej më djellë në Menhetten! Ay u fut në limuzinët dhe u afrua afër dritares të shëkonte. Duallë gratë që këndonin. Të tëra i kishnë sytë me lot dhe, - si duket nga mallëngjimi, - nuk e vazhdonin dot më këngën e kalit, që do ta kthente nusen të shihte të vetët, dyke filluar nga gjyshi. Si nuku e shpunë dot këngën gjer në fund, gratë nisnë të fshinin lotët, por mendjen e kishnë nga porta, pe ku do dilte nusja.
Vetura e policisë po vinte gjene prapa meje.
• Tëmën!, - thashë me vete, - këta hajvanët duan të ma kripin, të më zenë më
donjë faj!
Por oficerat vetëm një vështrim hodhnë nga unë, se u bënë më shumë kurreshtarë me dasmën. Ec, e shëko prapa ata.
Po dilte nusja. Unë nuku kishnja parë donjë zakon të tillë. Theatro o theatro, kur të qaj tërë! Ishin dy vëllezër të dhëndrit, që duallë nga dera me kurriz e seç tërhiqnin me zor, të thoshe ti donjë sëndyq, a baulle të rëndë. Tëmën, ç‘tërheqën këta-o?! Kur shoh unë: nusen! Tërheqkëshin nusen, ore! Këtë radhë ajo nusja e lumtur e katit të tetëmbëdhjetë, qante, përpëlitej e u kundërshtonte atyre që donin ta merrnin gati zvarrë. Demek, ajo nuku donte të dilte nga dera e babajt, por nuku kish ç‘të bënte, ce po e rrëmbenin! Ata ishnë djem të fuqishmë dhe e tërhiqnin pa pikë mëshire. Tashi edhe ajo xhanëm, bënte sëkur u kundërshtonte, por ama, për të qarë qante vërtet! Dhëndri prapa meje qe rehatuar në limuzinë dhe vështronte me buzët vesh më vesh, në gaz! Ce të mos qeshte ay!..
Te dera, prapa nuses, duallë dhe prindët. Babaj e mbante veten, por nënës i vinin lotët lumë. Qanin gjyshi me gjyshen, qanin motrat e vëllezërit, por asnjë nuk e ndihmonte çupën. Veç njëri nga vëllezërit e veckël, u hodh në ndihmë të motrës që luftonte me ata që po e rrëmbenin. Por nusja la të qarët, i këputi të vëllajt një pëllëmbë dhe ay shkovi i bindur të qante në grupin e familjarëve të tjerë, që ishnë të prekur jo pe atij rrëmbimi theatror, por ngaqë çupa njëherë e përgjithmonë po u ikte vërtet pe rrethit të ngrohtë familjar. Njësoj-o siç qajmë të tërë, kur nxjerrëm për herë të fundit nga shtëpia, çupat, motrat, kushërirat.
Përleshja u bë më e fortë, kur njerëzit e dhëndrit deshnë ta hipnin nusen në limuzinë, nga dera që unë paçë lënë hapur. Aty nusja m’u duk se nuk desh të hipte vërtet. Të qarat u shtuanë edhe më.
Në atë çast, - ja kur mos kem babanë në gënjej, - u dëgjuanë dy të shtëna kobureje dhe të tërë ngrimë. Ngriu nusja, ngrinë ata që po e tërhiqnin pe krahësh. Aty para hundëve të limuzinës, shohëm dy polica që po vrapojnë drejt nesh. Në duar kanë koburet, që akoma nxjerrën tym pe grykave. Ne nuk e kishmë vënë re fare që makina e policisë që pat kaluar aty përpara, pat qëndruar ca metro më tej. Kush e kish mëndjen te policat! Ata patnë soditur daljen e nuses dhe kur panë që ajo përpëlitej në krahët e dy meshkujve, çapëlyenë sytë e dhanë alarmën: “Friizë! Friiiizë!”
Pushuanë të qarat. Policat u drejtuan revolet atyre që po rrëmbenin nusen dhe u thanë të mos lëvizin. Vëllezërit e dhëndrit, dyke qeshur, i ngritnë duart lart. Qeshnin ata, po nuk qeshnin hiç policat! Njëri polic ruante me grykën e kobures, tjetri i urdhërovi djemtë të mbështetshin me të dy duart mbi limuzinë dhe i kontrollovi për armë, pa u vënë veshin shpegimeve që u vinin nga dasmorët që i rrethonin nga të katër anët.
• Rrëmbim personi, - thanë dy policët. – I organizuar!
Njëri nga ata mbeti me kobure ngrehur të mbante dasmorët, kurse tjetri i hoqi mënjanë dy njerëzit e dhëndrit dhe nusen.
• Ti, - më tha mua polici që ruante, - merr dokumentet dhe shko me të tjerët. _
Asnjeri tjatër mos afrohet! – u ulërinte krushqisë. Apo nuk oshëtijnë rrugët e Menhettenit!
Dasmorët zbardhnin dhëmbët. Asnjëri nga të nuses nuk qante më. “Hej o bela”, - thashë unë me vete, - “edhe kjo na duhej tani. Do ta kaloj në burg natën sonte!”
Mora dokumentet dhe u bashkova edhe unë me grupnë. Po ta quanin vërtet rrëmbim e po të mos bindshin policat, unë duhet ta hanja mirë se kishnja mjetin, mjetnë e rrëmbimit!. Gjobë po e po, por tashi si vajtnë punët, gjobën ta puthnja!
Nusja dyke qeshur me një kërkëllimë të butë, po shpegonte tërë historinë. Ajo u foli për zakonin e dikurshmë të fshatit të tyre, u tha se ajo po e zbatonte edhe këtu nën grataçielat e Menhettenit, për t’u bërë qefnë gjyshërve pleq dhe shpresonte se dasma nuku do kish tronditur rendin publik. Policët, një i zi e një i bardhë, e shëkonin me mosbesim. I pyetnë dhe ata dy të tjerët dhe ata thanë po të njëjtën gjë. Më panë mua dokumentet, u tregova që punonja për një firmë të njohur limuzinash dhe u thashë që unë aty nuk hynja hiç, se unë isha thjesht i paguarë.
• Tërë shoferët që angazhohen për rrëmbime, paguhen, - tha polici i zi.
Në atë kohë dyke u rënë sirenave, erdhën dhe tri makina të tjera të policisë, me
një vargan me polica, që sakaq duallë nga veturat dhe u bashkuanë me ne. Zallamahi e madhe, ore. U zu trafiku e mizëri e kalimtarëve na rrethoi anembanë. Policat llafosshin me njëri tjetrin vështronin nga dasmorët dhe dalëngadalë po bindshin.
• Je më shumë se tetëmbëdhjetë vjeçe? – e pyeti nusen njëri pe tyre, sa për
formë, se tani ishnë sqaruarë të tëra.
• Ohu! – tha nusja. - Faleminderit që dyshoni për këtë! Unë jam avokate
dhe… dhe bile punoj në një agjenci për të drejtat e njeriut!
Policat u shkrehnë fare. Njëri foli me qendrën në radio dhe ua tregovi meselenë me buzë në gaz.
• Vazhdoni! - tha duke mbyllur radion. – Shumë interesant. Paçi jetë të lumtur!
Mua më dhanë dokumentet e unë psherëtiva i çliruarë. Nusja ua zgjati gjene
duart të dy krushqëve që aty më parë po e “rrëmbenin” dhe ata nisën ta tërheqin me zorr që nga mesi i policave. Vajza zu të shtirej prapë sikur kundërshtonte, sikur u kërkonte ndihmë popullit të Nju Jorkut dhe kur iu afrua limuzinës, ajo u këthye edhe një here, ashtu si demek duke qarë dhe çapkënçe ua shkeli synë policave, që rrinin duarkryq dhe dyke parë çupën shqiptare, dukshin sikur u lëshonte goja lëng.
• Kot paska qënë martesa jonë, - thoshin me vete policat më të vjetër.
• E ç‘shpresa mbetnë më për ne, - dukej sëkur thoshin policat beqarë.
E nuku flisnin asnjë llaf, por mendonin me vete se me çupa të tilla të bukura,
fshatrave të Shqipërisë, domosdo do t’u shkrepte dërmend një zakon si ky i rrëmbimit.
Ajo, nusja që po dilte sot nga Menhetteni, ia vlente të bënje marrëzinë e ta
rrëmbenje!… Kur mos kem babanë, edhe gjyqet e Amerikës të nxirrnin me siguri të pafajshmë!…

[Edited at 2003-08-13 04:07]
Collapse


 
Monika Coulson
Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 04:25
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
SITE LOCALIZER
Ja bre, kjo është Amerika! Aug 15, 2003

Pëllumb Kulla


Rrëfenja nga Amerika
-Përjetime dhe portrete shqiptarësh në mërgim-

Ja bre, kjo është Amerika!


• Tëmën bre, prefesor, - nis ligjëratën e përditshme shoferi, - sa llafe të ndyra
kishmë dëgjuarë për Amerikën! Po na kishnë thënë-o, se këtu n’Amerikë njeriu shfrytëzohet pe njeriut. Çne bre! Mbroçkulla! Këtu, or byrazer, ndodh e kundërta!
Radha e veturave në portat me pagesë të
... See more
Pëllumb Kulla


Rrëfenja nga Amerika
-Përjetime dhe portrete shqiptarësh në mërgim-

Ja bre, kjo është Amerika!


• Tëmën bre, prefesor, - nis ligjëratën e përditshme shoferi, - sa llafe të ndyra
kishmë dëgjuarë për Amerikën! Po na kishnë thënë-o, se këtu n’Amerikë njeriu shfrytëzohet pe njeriut. Çne bre! Mbroçkulla! Këtu, or byrazer, ndodh e kundërta!
Radha e veturave në portat me pagesë të Trajboro Brixhit është e gjatë.
Megjithatë unë kam kohë deri në fillimin e punës. Tej mbi Menhetten, që e kemi në krahun e djathtë, kanë rënë rrezet e para të diellit dhe kjo kartolinë e rrallë e shtyn mikun tim Peçon, ashtu me duar mbi timon, të më bëjë një raport përmbledhës me përshtypjet e tij nga Amerika. Ai e ndjen që unë i dua rrëfenjat e tija në atë gjuhën dialektale korçare, rrëfenja që më zbavisin pa masë dhe nuk shterrin kurrë.
• Ikë sa të duash larg, ore, - vazhdon Peçoja, - mendjen në Shqipëri do ta kesh! Një sy këtu e dy atje. Unë atje kam pleqtë, siç i ke dhe zotrote. Edhe shokët e kushurinjtë e mij, pleqtë i kanë në Shqipëri... Mendjen atje e kemi të tërë. Sa bie telefoni, i pyesim: Keni korent-o? Po ujë? Si jeni me drita mo?
Kemi qëndruar tek njëra nga kabinëzat mbi urën e Trajboros dhe Peçoja më zgjat dorën. I jap paratë për kalimin e urës, ai paguan, hapet trari dhe makina vazhdon rrugën për Kuins.
• Ja kështuuuu, prefesor! Jetojmë kohëra të mrekullueshme, kur ne shqiptarët e ardhur këtej, shumica mosha të reja, kemi lënë atje prindërit, pleq e plaka, që të na e bëjnë edhe njëherë elektrifikimnë e përgjithshmë!
Me Peçon, vendet e punës i kemi pranë e pranë. Vetura është e tija, kurse pagën e urës e bëj unë. E ai më shpie në punë çdo ditë. Ai më shpie edhe tani që puna e tij ka një rënie. Punon në një kompani taksish dhe limuzinash, por kur shterrin pasagjerët Peçon e kanë nga të parët që pushojnë. Po ai nuk e prish terezinë. Paraqitet në mëngjes e pastaj kur i thonë që nuk ka punë për të, futet në një kafe në Kuins e pret t’u bëjë ndonjë shërbim me pagesë shqiptarëve me makinën e vet.
Unë punoj në një Strehë, ku rehabilitohen fëmijë me të meta, kryesisht jetimë. Streha është e mbajtur mirë e financuar pjesërisht nga shteti i Nju Jorkut dhe më së shumti nga dhurues kristianë. Po Motër Gjenovefa është aq e zonja, sa shpesh arrin të marrë financime edhe nga qeveria federale. Ajo e ka themeluar vetë Strehën e tani fluturon nga krenaria që Streha e saj është bërë model. Unë aty organizoj argëtimet e fëmijëve dhe mbaj gjallë grupin e theatrit. Motër Gjenovefa që ka sjellë për vete një krevat të thjeshtë e fle aty në Strehë, rri orë të tëra duke parë inskenimet e mia mbi fëmijërinë e Linkolnit, Presidentit të lavdishëm të Shteteve të Bashkuara.
Puna më ecën edhe më vjen keq që shokut tim Peços nuk i vete mbarë sikurse mua. Nganjëherë më duket se ai e di që atë ditë nuk do të ketë punë as me taksi as me limuzinë, por vjen, ja thjesht që të më bëjë lehtësi mua. E gjatë gjithë rrugës së gjatë nuk lodhet duke folur. Shpesh them që do t’ia mbledh këto rrëfenja. Jam i bindur që do t’i kujtoj të gjitha një e nga një ato që më ka treguar deri më sot. Janë tregime të jetuar nga ai vetë, por ka plot nga të shqiptarëve të tjerë, pasagjerë, që ia rrëfejnë rrugës dhe ai m’i sjell mua taze, të ngrohta. Jam kureshtar të di, se çfarë u rrëfen ai të tjerëve për mua. Se nuk mund të rrëfesh asgjë për një njeri si unë, që rri gojë kyçur e vetëm qesh hera -herës duke dëgjuar shoferin gojë kripur, që nuk lodhet kurrë së rrëfyeri. E flet e flet… Ja si tani:
• Rrimë këtu në Amerikë e ndjekëm me drithërimë të tëra kacafytjet dashamirëse
të politikanëve atje, të cilave y thonë “kacafytje për të gjetur unitetnë”, unitet që nuku vjen, ce është nisur ters… Po është nisur ters bre, që në përçapjen e parë të Skënderbeut. Se ay e bëri me ugur të keq, o prefesor, qëkur për t’i bashkuarë shqiptarët, zgjodhi për kuvënd Lezhën, që atëherë quhej Lesh!..
Shoferi u jep një të fshirë xhamave, megjithëse ata mua më duken më të tejpashëm se kurrë.
- Ka shumë vjedhje në Shqipëri, thonë, korrupsion. Qeveritarët e politikanët e kanë mendjen te paraja. Si e si, të bëhen milionerë! Prandaj është më mirë bre, kur shtetin e drejtojnë të ngopurit, pasanikët. Këtë po përpiqen të realizojnë partitë në Shqipëri. Që shtetin ta drejtojnë të pasurit, ka dy rrugë, prefesor: ose të pasurit të bëhen ministra, ose ministrat të bëhen të pasur! Në mëmëdhe po ndodh kjo e dyta; ministrat po bëhen të pasur!… Prandajza sa herë vete andej-këtej y them shqiptarëve, kudo që janë: vëllezër Filadelfiotë, Vaterburas, Njuxhersjotë, Bostonianë, Detroitjotë, Çikagas, të ini krenarë për mëmëdhenë e dashur ore! Atje në mëmëdhe, vjedhjet kanë qëllime të pastra, fisnike. Atje vjedhin për pikësynime të nderçme… Njëherë vaftit, shteti i rripte lëkurën individit për të mirë të përgjithshme, sot për të mirë të tij, individi i rrjep lëkurën e përgjithshme shtetit.
Peçoja vështron ca vrapues shalëjashtë, që ndjekin paralel veturën në të dy anët e rrugës. Një burrë i ngjallmë mezi i lëviz kilet e tij e duket aq i rraskapitur, sa të bësh be se ky është vrapimi i tij i fundit para se ta varrosin.
- Sa e kishmë ëndërruarë Amerikën, o prefesor, ëh?… Këtu shëndoshesh, fryhesh pa dashur, o në p.. të sëmës! Ma shëkon ti prefesor, barkun, mullën time? Asnjë thërrime dhjamë, as një çiçkë bark nuk kam patur në Shqipëri! Xhan o ushqim i Shqipërisë! Bëj unë tashi vrap, që të ul barkun, por varet e nga puna, bre. Se nuk është fizkultura kryesorja. Më parë, këtu, bënja gjashtë ditë punë, po ama, një ditë ia linja të tërën, vrapit. Nuk do linja punën për të vrapuar de! Pastaj ra puna. Fillova të bëj pesë ditë punë e dy ditë vrap… Pastaj .. m’u shkurtua akoma puna e fillova të bëj tri ditë punë e katër ditë vrap. Tani ka një muaj, bëj vetëm … vrap!
Dhe miku im nuk ka të rreshtur:
- Po sikur është vetëm ky hall këtu! Mua nuk më janë ndarë hallet, qëkur vura këmbën. Pa gjuhë, bre, pa gjë… Dy vitet e para punova pa letra, fshehur. Punonja në kat të gjashtë po së prapthi, gjashtë kate dënë dhe! As e pashë diellin as më pa! Nuku se amerikanët janë të rreptë, po kisha akoma në palcë të dredhurat e Selanikut. Këtu, shokët e mij… ezmerë, - se mo na e marrin amerikanët për racizmë! – ata ezmerët dilnin e më blinin për të ngrënë, ata më mësonin zanatnë, gjuhën. Ja atje thellë, ku isha, e mësova gjuhën e vëndit, gurgull! Pas dy vjetësh, kur dolla mbi trotuaret lart, e mora vesh e xheç më ra dambllaja: gjuha që paskësha mësuar bilbil, nuk paskej qënë anglisht, o prefesor, po… spanjollçe oreee!!! Kur mos kem mamanë! Po si ore asnjëri nuk më tha, se ata hushkulurit ezmerë, kishin qënë nga Porto Rikua! Më shkuanë dy vjet. Fillova anglishten nga e para. Zhytem po s’mbytem unë!. Ama, thuaj hë, gjuhë më të zorçme, nuk bën nëna! Për të folur, hajde de, pa për të shkrojtur, po nuk vajte në shkollë, aha, harro mushkë…! Amerikanët, or byrazer, e shkruajnë “mace” dhe e lexojnë “qen”! Fëmijët venë në shkollë dhe e mësojnë, ne të rriturit, hiç-o, ç‘të na vijë nga veshi. E kështu shtyhemi. Papo, është e bukur bre, kur e dëgjon tjetrin ta bëjë mishmashnë në mes të supermarketit, t’i thotë së bijës: “Na moj ti dhi e Ziçishtit! Mo më thuaj aj dont kerë, po mbylle grykën, ce të futa një pëllëmbë të mirë, sa të harrosh pasuordin e internetit dhe gjer bë dhjetë numëra celularësh!”…
Peçoja e le tregimin dhe drejton gishtin nga një veturë që po na le pas.
• Shëko, shëko!.. E pe atë Mercedesnë? Ia pe flamurë tonë mbi targët?
• Ia pashë. – i them unë.
• Gjen këtu dhe shqiptarë që të marrin gjak në vetull. Fitojnë dhe e derdhën paranë lumë. – vazhdon Peçoja. – Njëdizaj, një i njohuri im- njëherë vaftit bëmim zborë bashkë me të, - blevi një shtëpi një milion dollarë. Kur mos kem babanë! Saktësisht: një milion dollarë e 99 cent! Gjen bre këtu shqiptarë që hapin biznese, si ata devollinjtë që kishnë hapur një servis veturash dhe kishnë marrë me mëditje vetë amerikanët! Amerikanë bre, orgjinalë, kur mos i kem tërë! Dhe bile y mësojnë atyre korçarçen tonë. Ja, u ngëtheva nga një vizitë në Shqipëri unë, e vajta e po y rrëfenja devollinjve ç‘kisha parë në mëmëdhe. Por më shumë u trondit pe atyre që rrëfenja unë, ay amerikani zezak, që punonte për ta. Me gojë hapur kamare pe habisë, dolli që poshtë maqinkës që po riparonte e më tha: “Me gjith mënt –o? Ik or t’u mbylltë e mëndjes”, - ia bëri zezaku, -“ ce nuku t’i ha njeri këto!?!”- “ Kur mos kem babanë!” – i thashë. “Kur mos kem babanë, edhe unë s’t’i besoj!” – ma previ zezaku dyke zënë be për babanë zezak!
Në një udhëkryq të Kuinsit, dy policë amerikanë me fytyra kinezësh, po i jepnin radhë trafikut. Unë vura bast me veten se Peçoja tani do të hapte bisedë mbi kinezët. Dhe e fitova bastin:
• Nganjëherë nuk e merr vesh je në Amerikë apo gjëkundi tjatër!.. –hap temën tjetër Peçoja. - Dhuratat që shqiptarët, blenë për të dërguar në Shqipëri, të gjitha mbajnë etiketën e prodhimit Made in China! Po sikur na kanë mallkuarë, që të mos na ndahet Kina kudo që të vemë, or tëmën e sëmës!… Ore, amerikanët si sistem, fituanë mbi komunizmën, po si shpërblim e panë ç’y erdhi: iu mbush vendi me.. me… rusë-do ti a, polakë-do ti a, shqiptarë- do ti! Edhe një fitore kështu mbi Kinën y duhet këtyre e pastaj, që të shohç një amerikan, do të duhet të shkosh në rezervuaret e indjanëve! Edhe atje edhe jalla, kur ta gjesh! Ja kur mos kem mamanë në e tepëroj! Do të ma shohç pastaj Amerikën! Hë-hë-hë!… Po amerikanët janë të mençëm, ore, dhe tashi kanë filluarë ta kuptojnë mirë, se të drejtat e njeriut në Kinë, nuku janë edhe aq keq or jo!...
Arritëm përpara Strehës. Peçoja nuk kish më kohë të përfundonte të tërë temën e kinezëve, të filipinëve, rusëve… Por, ja, kemi ditët e tjera që vijnë. Dhe unë mahnitem sa mirë i zbërthen Peçoja vuajtjet, lumturitë e peripecitë e shqiptarëve të mërguar në këtë tokë të Amerikës, në mes të këtij oqeani mërgimtarësh nga e gjithë bota….
Collapse


 
Monika Coulson
Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 04:25
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
SITE LOCALIZER
Kur mos kem mamanë! Aug 24, 2003

Pëllumb Kulla


Kur mos kem mamanë!

Nëse mund t’i themi ende djalë një dyzetvjeçari, vetëm se i ka faqet e kuqe dhe një dritë gazi që nuk i ndahet nga sytë, Peçoja është djalë, madje një djalë i këndshëm. Ai gërmon, nxjerr e na ve përpara gurë të çmuar nga përjetime të të tëra llojeve: që nga një periudhë burgu, një punë e vështirë në parkun e mallrave të Korçës, një dalje dyvjeçare në rrethinat e Selanikut dhe një hyr
... See more
Pëllumb Kulla


Kur mos kem mamanë!

Nëse mund t’i themi ende djalë një dyzetvjeçari, vetëm se i ka faqet e kuqe dhe një dritë gazi që nuk i ndahet nga sytë, Peçoja është djalë, madje një djalë i këndshëm. Ai gërmon, nxjerr e na ve përpara gurë të çmuar nga përjetime të të tëra llojeve: që nga një periudhë burgu, një punë e vështirë në parkun e mallrave të Korçës, një dalje dyvjeçare në rrethinat e Selanikut dhe një hyrje e mundimshme në Amerikë, me ndërmjetësinë e kurbetlinjve të vjetër korçarë. Këtu punoi ca kohë si shofer brenda oborrit të një firme italo-amerikanësh, të cilët ia lejojnë vetes të marrin në punë një mërgimtar, që ende nuk i ka letrat nga autoritetet vendëse. Por nuk e linin Peçon të kalonte kurrë me kamion pragun e portës së oborrit të tyre. Tej pragut, pushteti i punëdhënësve italianë merrte fund.
Tani banon pranë nesh në Mosholu Park, Norvud, Nju- Jork…
Stacioni i parë i vizitave në shtëpinë time për të është rafti i librave. Edhe pse lexon për bukuri Tajmsin, pa thënë që ka një etje të pashuar për gjithçka botohet në atdhe, gjuha e Peços ruan koloritin e fshatrave të Fushës së Korçës ku edhe është lindur. Ai mendon se vetëm kështu mund të ngjitin më mirë rrëfenjat e tija. Unë them se e bën më shumë që të mos harrojë ta përdorë atë me bujtësat e tij, kurbetlinjtë e vjetër, të cilëve ajo gjuhë u ka mbetur ashtu, pa pasur ata asnjë mundësi e pa ndier asnjë nevojë për një përshtatje më bashkëkohore.
Rrëfenjat e Peços janë gazmore e, nganjëherë, ai më ngjan si një korrespondent i dërguar në burgun e diktaturës e në qarqet e mërgimtarëve shqiptarë të Selanikut, të Bostonit dhe të Nju-Jorkut, nga ku reportazhet e dhembjes, mendon ai, janë bërë tashmë shumë. Ai duket sikur ka zbritur poshtë të gjuajë karaktere e ndodhi që të bëjnë të mendosh se asnjëherë jeta nuk është vetëm e vështirë.
Nga kjo Peçoja duket pak i lehtë dhe jo aq serioz. Sidoqoftë, gjuha e tij na është bërë si epidemi e këndshme, sa edhe unë e zë veten duke i thënë:
• Ce bre Peço? Po ce o derëzi? Po ti qenke i lojtur o t’u mbylltë!
Aty edhe ime shoqe po më pyet me “ce o burrë”, ndërsa fëmijët kanë harruar të betohen si më parë dhe tani të sigurojnë duke përdorur betimet e Peços: “Kur mos i kem të tërë!” ose, edhe më prekshëm, me atë “kur mos kem mamanë!”
Kur na vjen për vizitë, ai nuk e ka për gjë ta lëshojë gojën edhe në prani të gruas sime. E pastaj nxiton t’i kërkojë asaj të falur duke e siguruar se ushqen për të respekt.
Për shkarjet e gojës, gjithë fajin, sipas tij, ia ka qyteti ku është rritur.
• Ama, vërtet bre, kush i njeh mirë korçarët, - shfajësohej një ditë Peçoja, - nuk ua merr për keq. Shko në Pazar të Korçës, brenda orës dëgjon më shumë të shiten nga ato .. të nënave, se piperka e domate! Kur të qaj mamanë, çapëlojnë sytë e gojën të tërë ata që zbresin për herë të parë Korçë e dëgjojnë: “T’ëmën! Po ç‘bëhet kështu or q..fjaj t’ëmën! Pat erdhur një herë një shkodran me shërbim, në Grumbullim të Korçës, siç vinte pe vitesh. Këtë herë qëllovi që shefit të një reparti, një natë më parë i kish vdekur babaj. Do vinin ta ngushëllonin shokët e punës e ay shkodrani i shërbimit kish thënë: “Po vij dhe veta!” Po juve e kuptoni tani sesi mbeti ay, kur i dëgjonte korçarët ta ngushëllonin shokun e tyre: “T’ëmën bre Kiço, po babaj vdiq o në p… të s’ëmës, ëh?” Shkodrani nuk u besonte veshëve. “Janë çmendur këta”,- thoshte me vete. Fillonte i dyti: “ Po kur vdiq, bre Kiço?” “Sot më të gdhirë” – ia kthente Kiçua. “ Paaa! Si bre më të gdhirë?! E po m’i hëngsha t’ëmën, vdekja të merr kur t’i dojë bytha!” Varda goja ore! Kur mos kem mamanë! Fillonte i treti: “Kur e kini lënë varrimnë, o Kiço?” – “ Më tre pas dreke” – “ Më tre, ëh? Hiçgjë nuku jemi bre! Sot mbi dhê, nesër dënë dhê, o më i ..fsha t’ëmën vdekjes! Ta thosh veç njëri, e po hajde de! Po tërë gojë prishur, tërë me të shara nga nëna! Shkodrani i dha karar: kjo gojëprishje ishte pe atyre riteve që nuku ia njohim njëri-tjatrit e mendovi se korçarët gjithë këto, i kanë kundër mortjes. I erdhi radha atij vetë tashi. Juve e përfytyroni të gjorë shkodran, me zë të bukur, i sjellçmë, delikat, që po matej të kapërcente një ledh që s’e kish hedhur ndonjëherë. Djersët çurkë e nuk dinte si ta niste me Kiçon: t’i shante më parë nënën apo t’i thosh udhë e mbarë babajt?!…
Ne qeshnim duke fshirë lotët, kurse Peçoja na siguronte, se të tëra këto ishin të vërteta.
• Kur mos kem mamanë, në ju gënjej!
E ky ishte betimi i fundit i Peços me mamanë e tij. Atë betim ai nuk e përdor më.
Katër ditë më pas Peços i vdiq e ëma. Në fillim e lajmëruan se ajo, befas, qe sëmurur rëndë. Atë ditë unë i vajta në dhomë dhe e gjeta Peçon në lot. Nuk e kisha parë të përlotur më parë dhe nuk e kam parë më që ato ditë.
Ai më bëri shenjë të hiqja pallton dhe vazhdoi të dëgjonte ato që i rrëfente në telefon e motra që pati lënë Tiranën dhe kishte nxituar në fshat, ku banonin pleqtë. Pastaj, miku im la telefonin dhe u ul në një kulltuk të vjetër.
• Mamaja po na le, - tha me zë të shuar. – Ka prerë gojën.
Qëndruam kështu pa folur nja dhjetë minuta. I gjori Peço shfryu tërë pikëllimin në një psherëtimë.
• T’ëmën ç‘bëj këtu n’Amerikë, unë bre?! Ëh? Dua të siguroj një jetë më të mirë-o? Po ç‘duhet bre, kjo jetë, që do të më kujtojë se e lashë mamanë të më vdesë, jo dyke i ndënjur pranë, por dyke pritur vetëm ç‘më thonë në telefon!?.. “ Ti moj korbë, po vdes?” – e pyesin me siguri moshataret e saja, mamanë. – “Po vdes”, – u thotë ajo. “ Po ku e ke djalën e vetmë?” - “Ai më ka vdekur më parë, katër vjet të shkuara, kur u nis për Selanik… Që të rronte!… E andej më vdiq!”.
Dhe Peçoja qante duke mos u përpjekur fare ta mbyste vajin dhe i fshihte lotët me dorë. Pëllëmbët i ishin bërë qull. Unë i vura thjesht krahun mbi sup dhe mezi përmbahesha vetë. Kur Peçoja mbyste ngashërimin, i linte udhë bisedës imagjinare që bënte e ëma me shoqet e saja plaka.
- “E që atëherë nuk e ke parë më, moj ditëzezë?” – “ Ja, për ta parë po nisem” …
Peçoja u ngrit me rrëmbim dhe u vërsul në banjë. Pas pak doli duke fshirë fytyrën
me peshqir. Ishte qetësuar disi. Më pa drejt në sy e më tha:
• I ndodh bre, kjo, shumë mërgimtarëve. Nuku kanë se ç‘të bëjnë, ce nuku këthehen dot më këtu. Pa marrë dokumentet, nuku puthin më dot në Amerikë!.. Vetë e dinë sesi i gëlltisin halle të tilla!.. Ama unë nuk e duroj dot. Nuku duroj! Më zuri pa pritur kjo arë gungë, mor më ia …. Ngreu prefesor, e ikë të lutem. Ikë!
• Çfarë pate?! - e pyeta i befasuar që desh të më përcillte.
• Të tjerët nuku ma dinë hallë, kështu si ma di ti dhe jotë shoqe. Ata dhe do të më flasën edhe do të pinë me mua kafe. Po yve, ty dhe zonjës, unë nuk ju dal dot përpara. Se juve e patë si mua po më vdes nëna e më patë si po rri këtu, në këtë mut vend, ngaqë pastaj nuku këthehem dot më.
• E di Peço, nisu! – e këshillova unë me vendosmëri. - Do të kujdesem unë për biletën tënde… Kushedi më vonë… Ti po vuan shumë. Ikë, dëgjomë mua!
Ai u plas në krevat.
• Nuku mundem. Babaj thotë: “Mos hajde”. Motra më kërcënon: “Po erdhe, nuk të flas më me gojë! Bëre gjithë këto sakrifica. Tani merr dokumentet dhe për gruan e fëmijët”… Gruaja… Rezarta, më thotë: “Bëj si të duash”.
Unë vendosa t’i jepja fund egërsisht, lëkundjes së tij.
• Mos i dëgjo ata. Unë të them shko!
Ai filloi të dëneste përsëri dhe gjendja u rëndua mjaft.
• As i dëgjoj ata unë or jo! Asnjërin pe tyre! Por… do të dëgjoj mamanë… Ajo, para se të priste gojën, i ka porositur: “ M’i thoni Peços: mamaja do që të mos vish! Ky është amanet im i fundit. Ma shkeltë, do t’ju mallkoj të gjithëve që nga gropa!”,- u ka thënë… Pandaj po më luten të tërë, që të mos u vete…
Shkulmat e dënesave po e mbytnin njeriun e gjorë. Ai nuk më fliste dot, por me dorë më bënte shenjë të largohesha dhe ashtu, nëpër trazim të shpirtit të tij, gjente radhë e më thoshte:
• Ikë, të lutem ikë! Dua të rri vetëm.


* * *
Mamaja e Peços vdiq atë natë. E kishin vënë plakën në varrezat e fshatit.
Ime shoqe dhe unë i bëmë një vizitë Peços, pas varrimit. Ai tani ishte krejt i qetë. Furtuna kishte kaluar e pati bërë dëme, por mbi shkatërrimin, kishte hedhur synë një diell i qetë dhe i ngrohtë.
Ai i buzëqeshi gruas sime dhe, duke na servirur nga një gotë ujë me akull, na tregoi se varrimi kishte përfunduar gjysmë ore më parë.
- Kishnë marrë me qira një celular të një fshatari që punonte në Greqi. E mbante nipi im. “ Mos të më flasë njeri në atë celular,- i thashë nipit,- vetëm mbajeni tërë kohën hapur e lemëni të dëgjoj”. Vetëm një shok pe atyre të parkut të mallrave nuku iu bind nipit e porosisë time, po iu afrua celularit e më thirri. “Jam Tirka, Peço, mbaje veten! Që pe Korçe, në këtë mes dimri, të kemi ardhur pesë shokë!” Ay desh të fliste akoma, po nipi e largovi… Në odën e burrave më bëhej se ndjenja erën e duhanit. Pasaj, dëgjonja gratë që qanin. Një e dy përmendej emri im,… që ime-më, e zeza, nuk më pati pranë… Celulari kishte cilësi të mirë. Motrës sime i ra të fikët. Dëgjonja që thërrisnin për ujë. “Ujë, ujë!”- ulërinin tëra gratë njëherësh, me alarmë. Dëgjova kur nxuarrë mamanë dhe e nisnë në varrezë të fshatit. Dëgjoheshin këshillat e burrave: “Veri dorën këtu, ju të dy ngrijeni arkivolë nga ajo anë!”. Pasaj me sytë e mendjes shëkonja tërë rrugën e fshatit, ce dëgjonja dëborën e pashkelur, që kërciste dënë çapet e njerëzve që e mbajtnë mamanë time mbi supe, gjer te varri. Edhe kërcitja e dëborës dëgjoheshe, kur mos kem….
Këtu Peçoja u kujtua. Dhe qeshi hidhur:
• Tani nuku do betohem më “kur mos kem mamanë!” – tha me një buzëgaz të hidhur. – “Tani unë atë… nuk e kam më!”
Në dhomë ra heshtja. Peçoja bëri edhe një përpjekje të shfaqej si më parë, i gjallë e me humor.
• Nuk e kam më… Dhe unë… Oho, ku ka si unë bre! Unë jam n’Amerikë ore!
Vetironia e tij nuk kishte asnjë dritë nga ai gazi që Peçon s’e linte kurrë. Peçoja dështoi në përpjekjen e tij. Dhe zuri përsëri të qajë….
Collapse


 


There is no moderator assigned specifically to this forum.
To report site rules violations or get help, please contact site staff »


LETËRSI - Rrëfenja nga Amerika - Pëllumb Kulla






Wordfast Pro
Translation Memory Software for Any Platform

Exclusive discount for ProZ.com users! Save over 13% when purchasing Wordfast Pro through ProZ.com. Wordfast is the world's #1 provider of platform-independent Translation Memory software. Consistently ranked the most user-friendly and highest value

Buy now! »
Trados Studio 2022 Freelance
The leading translation software used by over 270,000 translators.

Designed with your feedback in mind, Trados Studio 2022 delivers an unrivalled, powerful desktop and cloud solution, empowering you to work in the most efficient and cost-effective way.

More info »